Ambientet e Sallës së Koncerteve, të shkollës “Turgut Ozal”, u bënë vendi i organizimit të Koncertit të Bamirësisë “Tingujt e jetës”, një koncert i organizuar nga një grup miqsh, studentë të vitit të dytë, në Fakultetin e Mjekësisë.
Siç shprehen vetë iniciatorët e aktivitetit, ky aktivitet ka lindur si ide në kuadër të festave të fundvitit, për t’iu gjendur pranë njerëzve në nevojë. Për gjetjen e një rasti specifik, studentët u desh të kërkonim në pavionin e pediatrisë, ku me ndihmën e mjekëve njohën Shanikon e vogël, 6 vjeçaren që vuante nga talasemia dhe familjen e saj që jetonte në kushte të mjerueshme. Kështu që të ardhurat që do të mblidheshin nga koncerti, do t’i dhuroheshin kësaj familjeje. Gjetja e një salle për organizimin e koncertit, ishte sfida e parë.
Pas kërkimeve të shumta, ishte shkolla “Turgut Ozal”, që mundësoi dhe vuri në dispozicion të aktivitetit Sallën e Madhe të Koncerteve, të bukur dhe të përshtatshme për koncertin. Për fat të mirë, shumë artistë të njohur iu bashkangjitën iniciativës bamirëse, duke mbështetur fort këtë kauzë. Koncerti u zhvillua më datë 13 dhjetor, në orën 18:00, në ambientin e shkollës “Turgut Ozal”.
Pjesëmarrja ishte e kënaqshme dhe nga shitja e biletave u mblodh një shumë e konsiderueshme prej 141150 lekësh.
Gjatë koncertit familja Nela mori dhe një lajm tjetër të gëzuar nga drejtori i Kolegjit “Turgut Ozal”. Për një vit, Kolegji “Turgut Ozal” dhe Klubi Shpresa, do të mbulojnë shpenzimet e transportit dhe mjekimit të Shanikos së vogël.
Të pranishëm ishin dhe z. Nela me të voglën Shaniko. Të lexoje gëzimin dhe shpresën në sytë e tyre, ishte fitorja më e madhe për organizatorët, të cilët ia dolën me sukses në misionin që i vunë vetes!
Përgatiti: Imelda Prençe