Kreu / Olimpiada & Konkurse
Olimpiadat dhe konkurset në fusha të ndryshme kanë qenë dhe janë përherë në fokus të shkollës sonë, si një mënyrë e mirë për të matur njohuritë e nxënësve dhe për t’u dhënë atyre mundësi për të konkurruar me bashkëmoshatarët në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Në ASEF Social dhe Asef Science (Albanian Science & Engineering Fair) zhvilluar gjatë muajve nëntor dhe shkurt në kolegjin “Turgut Ozal” Tiranë, realizohen projekte nga klasat e pesta deri tek ato të 12-ta dhe marrin pjesë nxënës nga Shqipëria (Tirana, Durrësi), Kosova dhe Maqedonia. Në Asef Social, nxënësit konkurrojnë me projekte për nënkategoritë: Gjuhët dhe komunikimi, Histori dhe Gjeografi, Qytetari dhe Ekonomi, Filozofi, Sociologji dhe Psikologji. Në Asef Science, projektet ndahen sipas tre kategorive kryesore: Natural Sciences, Computer Sciences and Visual Arts dhe në 16 nënkategori, si: Biology & Engineering, Mathematics, Industrial Design,Physics & Engineering, Installation Art, Chemistry & Engineering, Lego Line Follower, Lego Sumo etj. Çdo nxënës pjesëmarrës zgjedh një temë dhe punon hap pas hapi për realizimin e projektit nën udhëheqjen e një mësuesi supervizor, i cili e orienton deri në nxjerrjen e rezultateve. Nxënësit vlerësohen me medalje e certifikata për origjinalitetin, kreativitetin, prezantimin përpara jurisë dhe punën e palodhur për realizimin e projekteve të tyre sociale dhe shkencore. Ata inkurajohen të vazhdojnë të ndjekin pasionin e tyre dhe të bëhen burim frymëzimi për të tjerët.
Institucionet Arsimore jopublike “Turgut Ozal” prej vitit 2022, kanë sjellë në Shqipëri, First®️ Lego®️ League Albania, si partneri zyrtar dhe i vetëm i LEGO Robotics. First®️ Lego®️ League Albania ka për qëllim që nëpërmjet të mësuarit praktik dhe argëtues, të prezantojë shkencën, teknologjinë, inxhinierinë dhe matematikën (STEM) te fëmijët e moshave 6-16 vjeç, duke i frymëzuar ata të eksperimentojnë në robotikë përmes këtyre fushave dhe të rritë te nxënësit aftësitë e të menduarit kritik, kodimit dhe dizajnimit. Në këtë konkurs mund të marrin pjesë të gjithë nxënësit, pavarësisht eksperiencës së tyre në robotikë, programim apo kodim. Pjesëmarrësit organizohen në grupe dhe fitojnë përvojë në zgjidhjen e problemeve të jetës reale, mundësuar kjo nëpërmjet një programi të detajuar global të robotikës. Çdo ekip i First Lego League merr pjesë në orë mësimi që zhvillohen enkas për këtë konkurs. Gjatë këtyre orëve ata mësojnë të ndërtojnë një robot duke përdorur platformën Lego Spike dhe Mindstorm dhe zhvillojnë një projekt të caktuar në lidhje me temën e konkursit. Përgatitja për First Lego League është mjaft emocionuese dhe i shtyn nxënësit për të sfiduar aftësitë e tyre duke bashkëpunuar me ekipin, për të arritur një qëllim të përbashkët.
Gjatë muajit tetor, në shkollën tonë zhvillohet faza e parë e Olimpiadës Shkencore COGITO. Në këtë olimpiadë marrin pjesë të gjithë nxënësit nga klasa e 6-të deri në klasën e 9-të, të cilët kanë arritje shumë të mira akademike, përkatësisht në lëndët: Fizikë, Matematikë, Biologji dhe TIK. Njohuritë e pjesëmarrësve testohen me anë të një provimi sipas lëndëve ku nxënësi dëshiron të testohet. Nxënësit konkurrues mund të zhvillojnë provimin e kësaj olimpiade deri në tri lëndë, sipas përzgjedhjes së bërë. Në bazë të rezultateve të provimeve, nxënësit e përzgjedhur për secilën lëndë, marrin pjesë në fazat e mëtejshme të kësaj olimpiade.
“Themelin e diturisë dhe atdhetarisë e përbën gjuha shqipe.” Tetori, Muaji i Letërsisë dhe Arteve, hap si çdo vit siparin e aktiviteteve artistiko kulturore në kolegjin “Turgut Ozal”. Në këtë muaj merr hov energjia e artistëve të vegjël dhe nxënësve të talentuar në krijim, interpretim, këngë, kërcim dhe vizatim nga klasat e katërta deri në klasat e nënta. Konkurset në të gjitha këto fusha, janë nga veprimtaritë më të dashura për nxënësit, ku ata shprehin botën e tyre të brendshme dhe u jepet mundësia të shpalosin aftësitë dhe talentin e tyre. Nuk mungojnë as projektet, përmes të cilave, nxënësit shfaqin aftësitë në artin e bukur të fjalës dhe tregojnë njohuritë e tyre letrare e gjuhësore. Është krijuar kështu një traditë atdhedashëse në shkollën tonë, të cilën brezat e ardhshëm do ta pasurojnë e do ta zhvillojnë më tej.
World Scholar’s Cup është një konkurs i përvitshëm ndërkombëtar, akademik dhe prestigjoz, i cili zhvillohet në mbi 65 vende të botës dhe ku marrin pjesë më shumë se 15 000 nxënës. Ky konkurs përfshin njohuri nga gjashtë fusha (Fusha Speciale, Historia, Arti dhe Muzika, Shkencat Sociale, Letërsia dhe Shkenca) dhe zhvillohet në katër raunde (Tasi i Dijetarit, Sfida e Dijetarit, Shkrimi Bashkëpunues dhe Debati ekipor). Nëpërmjet tij, nxënësit nxiten të mësojnë vazhdimisht nga idetë inovative, të eksplorojnë pikat e forta dhe të praktikojnë aftësi të reja. Duke komunikuar vetëm në gjuhën angleze, nxënësit përforcojnë aftësitë e debatit dhe të shkruarit të një eseje në një ambient miqësor dhe frymëzues. Sfidat e debateve nuk janë aspak të lehta pasi kërkojnë njohuri të thella e gjithpërfshirëse nga fusha të ndryshme të jetës, duke renditur argumente dhe kundërargumente, jo vetëm për temën e përgjithshme që përmban konkursi vjetor, por edhe për nëntemën e debatit që caktohet nga juria gjatë zhvillimit të konkursit. Në çdo raund të konkursit, nxënësit shfaqin aftësitë e tyre për artin e të shkruarit dhe të folurit në publik, mendimin kritik dhe mbrojtjen e qëndrimit të tyre për një çështje të caktuar. Në fund, individët dhe grupet me përfaqësimin më të mirë, vlerësohen me certifikata e medalje nga qendra e WSC.
Rruga Bernardin Palja, Ndertesa 15, Hyrja 1 Njesia Bashkiake Nr.6, Tirana, Albania