Kreu / Shërbime & Platforma
Shërbimi psiko-social në shkollë është një komponent thelbësor i sistemit arsimor, i cili ka për qëllim të ofrojë mbështetje dhe ndihmë emocionale, sociale dhe akademike për nxënësit. Ai ndikon pozitivisht në zhvillimin e nxënësve në jetën e tyre shkollore dhe jashtë saj. Psikologët e shkollës sonë identifikojnë nxënësit me nevoja të veçanta psiko-sociale, hartojnë plane specifike mbështetëse për ta, ofrojnë këshillim dhe ndihmë individuale duke monitoruar në vazhdimësi progresin e tyre. Ky shërbim përfshin edhe përmirësimin e aftësive shoqërore të gjithë nxënësve në menaxhimin e sfidave emocionale e sociale dhe zgjidhjen e konflikteve mes tyre. Shërbimi psiko-social në shkollën tonë, prej vitesh organizon edhe sesionet grupore për trajtimin e çështjeve të tilla si: menaxhimi i stresit, komunikimi efektiv, dhe ndërveprimi me të tjerët. Të gjitha këto promovojnë një mjedis shkollor të sigurt e mbështetës për mirëqenien dhe suksesin e përgjithshëm të nxënësve, duke ndikuar edhe në forcimin e lidhjes familje-shkollë-komunitet.
Mjeku në çdo shkollë, ka një rol të rëndësishëm në kujdesin shëndetësor të nxënësve. Në shkollën tonë kemi mjeke me përvojë të gjatë dhe të suksesshme në fushën e pediatrisë. Ajo kryen ekzaminimin fizik/mjekësor të nxënësve dhe është përgjegjëse për ndihmën e parë, parandalimin e kontrollin e sëmundjeve ngjitëse dhe mbajtjen e të gjitha dosjeve dhe raporteve mjekësore. Ajo është gjithashtu e përgatitur për të reaguar në emergjenca shëndetësore në ambientin shkollor duke u koordinuar me administratën e shkollës, prindërit, dhe vendorët, për të siguruar kujdesin më të mirë për fëmijët. Mjekja monitoron kujdesin e përgjithshëm shëndetësor të fëmijëve dhe ofron këshilla për shëndetin e tyre, në takimet e përditshme me ta ose në orët e planifikuara me tematikë shëndetësore në klasa të ndryshme. Prania e saj në shkollë ofron siguri dhe mirëqenie te nxënësit dhe mësuesit tanë.
IXL është një platformë mësimore enkas për fushën e matematikës, e fuqizuar nga AI, e cila ofron një gamë të gjerë ushtrimesh dhe burimesh matematikore për nxënësit e të gjitha moshave, dhe në shkollën tonë përdoret duke filluar nga klasa e tretë deri në klasën e 12-të. Praktikimi në IXL është i ndarë në nivele sipas klasave dhe sipas standardeve, gjë që e bën të lehtë gjetjen e temës apo konceptit që jepet për t’u përforcuar. Kjo platformë, duke përdorur algoritme të AI, u jep mundësinë mësuesve të analizojnë performancën e çdo nxënësi dhe të japin rekomandime të personalizuara për secilin prej tyre. Leximi dhe zgjidhja e ushtrimeve dhe situatave problemore në gjuhën angleze u pasuron nxënësve terminologjinë shkencore në fushën e matematikës dhe i parapërgatit ata për klasat më të larta të ciklit 9-vjeçar, ku lënda e matematikës zhvillohet në anglisht. Ajo përmirëson të mësuarit, nxit kuriozitetin, kreativitetin dhe dëshirën e lindur të nxënësve për njohuri. Në varësi të numrit të zgjidhjes së ushtrimeve, saktësisë së tyre dhe shkallës së vështirësisë, IXL vlerëson me certifikata nxënësit më të përkushtuar në fushën e matematikës.
Biblioteka online myON, prej vitesh është mjaft e vizituar nga nxënësit e shkollës sonë. Çdo nxënës, duke filluar nga klasa e tretë deri në klasën e nëntë, ka adresën dhe fjalëkalimin personal dhe mund të lexojë duke zgjedhur libra mes një larmie prej më shumë se 7 000 titujsh të përshtatshëm për moshën shkollore. Leximi mund të shoqërohet dhe me audio me shpejtësi të ndryshme, duke ndihmuar kështu jo vetëm rrjedhshmërinë e të lexuarit në gjuhën angleze, por edhe në shqiptimin e saktë dhe me theksin e duhur të fjalëve. Niveli i lexueshmërisë (lexile level) është i matshëm, pasi për çdo javë sistemi gjeneron një raport të detajuar për numrin e faqeve të lexuara, kohën e shpenzuar në blibliotekë dhe nëse niveli i lexueshmërisë është rritur apo jo. Gjithashtu, në përfundim të secilit libër ka kuize përmes të cilave çdo nxënës mat të kuptuarit ndaj librit të lexuar. Në fund të çdo muaji, nxënësit që kanë lexuar më shumë libra, pajisen me certifikata mirënjohjeje, duke u nxitur kështu për të lexuar në vazhdimësi.
Rruga Bernardin Palja, Ndertesa 15, Hyrja 1 Njesia Bashkiake Nr.6, Tirana, Albania