Për këtë vit shkollor, në kujtimet e nxënësve të klasave të treta u shtua edhe një moment tjetër mbresëlënës. Të shoqëruar nga mësuesit dhe nëndrejtorët e paralelit, ata bënë një udhëtim në Maqedoni e Kosovë, itinerari i të cilit përfshiu shëtitje dhe njohje me disa qytete si Struga, Tetova, Shkupi dhe Prizreni. Ndalesa e parë ishte në Strugë, ku nxënësit pas darkës bënë një shëtitje buzë lumit Drin dhe më pas u nisën për në hotel Scardus, në kodrën e Diellit-mali Sharr, nga i cili dukej i gjithë qyteti i Tetovës. Dita e dytë kaloi duke rrëshkitur me slita në pistat e skive të këtij mali dhe pasditja përfshiu larje në pishina dhe shëtitje nëpër qytetin e Tetovës. Destinacioni i tretë ishte qyteti i Shkupit, ku nxënësit midis aktiviteteve të tjera, vizituan edhe qendrën e re me Muzeun Arkeologjik, me skulpturat e Justinianit I, Filipit II dhe skulptura të tjera madhështore. Dita e tretë dhe e fundit e udhëtimit filloi me rrugën për në Prizren, shëtitje në këtë qytet dhe përfundoi me kthimin për në Tiranë. Nxënësit u shprehën se udhëtimi ishte i rehatshëm, i këndshëm, u mësoi plot gjëra të reja dhe i bëri të njihen më mirë me njëri-tjetrin dhe me vendet pranë Shqipërisë.