Jo një, por plot 3 programe festive janë organizuar nga shkolla jonë me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas dhe që në Shqipëri përmbledh brenda vetes edhe Ditën e Nënës. Klasat 7, 8, 9 ishin ato që çelën këto festime me programin e tyre të shfaqur ditën e mërkurë. Festimet vazhduan ditën e enjte me programin e organizuar nga nxënësit e klasave 2, 3 dhe përfunduan ditën e premte me shfaqjen e klasave 4, 5, 6. Gjatë të tria shfaqjeve ranë në sy kërcimet e bukura e plot elegancë si dhe këngët e orkestruara me mjeshtëri nga mësuesit tanë dhe të interpretuara aq këndshëm nga nxënësit e shkollës. Emocione të veçanta dhuruan fëmijët të cilët interpretuan vargje të zgjedhura me kujdes dhe me dashuri për nënat e tyre. Duartrokitjet, lotët e gëzimit, emocionet dhe buzëqeshjet shoqëruan këto programe gjatë gjithë kohës që shfaqeshin në skenë. Mesazhet që përcollën këto festime ishin jo vetëm dashuria e pafund për nënën, por edhe respekti dhe mirënjohja për femrën, këtë krijesë sa delikate aq edhe të fortë.
Ndërsa festat e organizuara nga grupet e kopshtit dhe parashkollorit do vazhdojnë të shfaqen deri në fund të javës.