Të njohësh vendin tënd është detyrë dhe kur kjo arrihet nëpërmjet udhëtimeve, padyshim që është edhe argëtuese e frytdhënëse. Për këtë arsye, klasa 9H zgjodhi të udhëtonte drejt qytetit historik të Beratit. Jo më kot u zgjodh pikërisht Berati si destinacioni i këtij udhëtimi, për vetë faktin se çdokush që e ka vizituar këtë qytet, ka mbetur i mahnitur prej tij.
Gjëja e parë që na ra në sy kur vizituam këtë qytet ishin shtëpitë karakteristike të vendosura njëra mbi tjetrën aq bukur, sa asnjë piktor nuk do të mund t’i imagjinonte ashtu. Ato janë edhe arsyeja pse ky qytet është quajtur “Qyteti i një mbi një dritareve”. Muret e shtëpive janë ndërtuar me gurë të skalitur dhe shkëlqejnë nga bardhësia, ashtu si edhe rrugët e shtruara me kalldrëm, ku mjeshtrit beratas punimin e gurit ua kanë lënë trashëgimi brezave pasardhës. Nuk mund të lëmë pa përmendur lumin Osum që e ndan qytetin e Beratit në dy pjesë, ku mjeti lidhës është Ura e Gorricës me plot shtatë harqe.
Në qendër të qytetit ngrihet madhështore kalaja e Beratit me një histori të veçantë që jo vetëm vizitorëve të tjerë, po edhe ne nxënësve na ngjalli dëshirën për ta vizituar nga afër. Mes ajrit të pastër, gjelbërimit dhe motit perfekt për një udhëtim të tillë, ngjitëm kalanë, e cila është dëshmitare e kohërave të vështira, të rezistencës së shqiptarëve në luftë me pushtuesit. Në të fshihen edhe veprat madhështore të piktorit të madh Onufrit dhe djalit të tij, Nikollës.
Berati 2400 vjeçar, qytet i dijetarëve, i penave të arta, i trimave, i kulturës, qytet me vlera të cilat nuk njihen vetëm nga vendasit, por nga e gjithë bota që kur ai hyri në UNESCO. Mijëra vizitorë të huaj kalojnë nga Berati dhe mbeten të mahnitur, si dhe dhjetëra autobusë me studentë të vendeve fqinje ndalojnë në këtë qytet. Jam e sigurt që edhe ata vizitorë e studentë, njësoj si ne, do të kenë shumë dëshirë të kthehen përsëri në këtë qytet që të lë mbresa.
Fjona Kazazi
nxënëse, klasa 9H