Udhëtimet, përveç argëtimit dhe shplodhjes, të japin mundësinë të njihesh nga afër me vende të tjera, me të tjera gjuhë, me njerëz të ndryshëm, si dhe të zgjerojnë dijet dhe kulturën e përgjithshme. Këtë herë udhëtimi i nxënësve të klasave 4, 5, 6 përfshiu tre kryeqytete të Evropës: Vjenë, Pragë dhe Budapest. Në shoqërinë e njëri-tjetrit dhe nën kujdesin e mësuesve dhe nëndrejtorëve të paraleleve përkatëse, nxënësit kaluan një aventurë mjaft të bukur 5 ditore, e cila nisi me kryeqytetin e bukur të Austrisë, Vjenën, ku nxënësit patën rastin të shikonin nga afër pikat më të njohura të saj si: Parkun e Qytetit, Operën Shtetërore, Muzeumin e Arteve të Bukura dhe Muzeumin e Historisë Natyrore, Hofburgun (rezidenca dimërore e Habsburgëve), Rrugën Tregtare (Kärtner Strasse), Katedralen e Stefanit, shtëpinë ku ka jetuar Mozarti, etj. Aventura vazhdoi me Pragën, ku nxënësit u takuan edhe me Këshilltarin e Ambasadës shqiptare në Çeki, z. Lulzim Çota së bashku me sekretarin e ambasadës, të cilët i shoqëruan nxënësit kudo nëpër Pragë, në shëtitjen me anije në lumin Vltava, te Ura e Karlit, te qyteti i vjetër (Old Town) ku panë edhe Orën Astrologjike etj. Po aq i bukur e me suprpriza vazhdoi udhëtimi edhe nëpër Budapest, ku nxënësit vizituan Ndërtesën e Parlamentit, Kështjellën në Buda, ish-Pallatin Mbretëror, Bastionin e Peshkatarit etj. Me rikthimin në Vjenë nxënësit u njohën edhe më shumë me këtë qytet dhe përfunduan aventurën e tyre me shëtitjet dhe fotot te Akuariumi i Vienës dhe Kopshti Zoologjik i saj.