Rrezet e ngrohta të diellit pranveror shoqëruan nxënësit e klasave të shtata në udhëtimin e organizuar drejt Shqipërisë së Jugut, përkatësisht në qytetin bregdetar të Vlorës. Të premten e javës që sapo lamë, oborri i shkollë sonë gumëzhinte nga zërat e hareshëm të nxënësve, të cilët së bashku me mësuesit e tyre po organizoheshin për t’u akomoduar në fugonat përkatës dhe të niseshin në destinacionin e përzgjedhur. Gjatë udhëtimit ata bënë disa ndalesa për t’u çlodhur dhe freskuar, si dhe për të shijuar natyrën e bukur shqiptare. Akoma më tërheqës këtë udhëtim e bënë edhe batutat që nxënësit shkëmbenin me njëri – tjetrin, të cilat mbahen mend gjatë dhe rikujtohen herë pas here.
Vendqëndrimi i parë ishte Radhima, ku ata shijuan ajrin e pastër, kaltërsinë dhe jodin e bregdetit. Shëtitja me varkë, ishte qershia mbi tortë, ku nxënësit soditën rivierën e mrekullueshme shqiptare. Më pas shijuan drekën në restorant “Rexhina”, po në Radhimë. Ndalesa e radhës u bë në qytetin e pavarësisë, në Vlorë. Aty nxënësit bënë shëtitje nëpër qytet dhe fiksuan në foto pamje të ndryshme dhe plot çaste në shoqërinë e njëri-tjetrit. Orët kalonin pa kuptuar në qytetin e flamurit, i cili u gjallërua më shumë atë ditë.
Erdhi koha e kthimit drejt Tiranës, e cila ishte po aq e hareshme nga bashkëbisedimet e nxënësve me njëri-tjetrin për mbresat e kësaj shëtitje. Një shëtitje,e cila do të mbetet gjithmonë në kujtimet e bukura shkollore.
Irma Derjaj
Mësuese