“Unë mendoj se ky vend bëhet dhe mund të bëhet vetëm, nëse secili prej nesh jep më të mirën e tij
dhe e bën këtë me sinqeritet, profesionalizëm dhe me gjithë dashurinë për këtë vend.
Është e rëndësishme ta doni profesionin dhe nëse gjithçka që mund të arrini dhe aspironi të bëheni, e
bëni me pasion, atëherë suksesi do të jetë i juaji dhe mund ta arrini këtë sukses kudoqofshi.”
Eni Vasili

Edukim vlerash ligjëruar nga një profesioniste e zonja dhe shqiptare e vërtetë, mund ta quajmë
bashkëbisedimin që një prej moderatoreve më frymëzuese dhe shumë e dashur për të gjithë ne,
Eni Vasili, zhvilloi me nxënësit e Klubit të Medias, Klubit të Ndërgjegjësimit dhe nxënës të
apasionuar me leximin, në ambientet e bibliotekës së shkollës sonë.
Në këtë bashkëbisedim plot emocion, nuk munguan pyetjet e përgjigjet mbi gazetarinë dhe jo
vetëm, si mund të jesh një gazetar i mirë, rrugën dhe vështirësitë drejt suksesit, si dhe çështje të
tjera rreth kësaj fushe kaq të gjerë, sa të vështirë, aq dhe të bukur.
Falenderojmë znj. Eni Vasili për kohën dhe gjithçka të bukur, të sinqertë e plot vlera që ndau me ne!