Jemi në muajin mars dhe çdo ditë e re sjell në ajër ngrohtësinë dhe gjallërimin pranveror. Ndjesitë e bukura që fal kjo stinë i përjetojmë më mirë ndërsa jemi në kontakt me natyrën dhe sidomos për fëmijët këto momente të argëtimit janë të shumëpritura.
Edhe fëmijët e grupit “Frutat” kaluan disa orë të këndshme gjatë vizitës në fermën e dietologes Blerina Bombaj Troci. Ajri i pastër që karakterizon fshatin Domje, lojërat dhe aktivitetet e tjera zbavitëse i kënaqën shumë këta vogëlushë. Ata provuan të përgatitin vetë biskota, të mbjellin bimë dhe të ushqejnë kafshët e fermës. Minutat atje kaluan si pa i ndier dhe kur erdhi ora e drekës, e shijuan mes bisedave dhe gatimeve me shije të restorantit të fermës.
Falenderojmë të zotët e shtëpisë që na mirëpresin sa herë që i vizitojmë dhe që na mundësuan të kalojmë një paradite krejt të veçantë, në një ambient që fëmijët e pëlqyen shumë.
Përgatiti: Elda Rrustemi