“Këta nxënës të vegjël bënë prezantime për Holandën, traditat, natyrën, historinë dhe zakonet tona. Ne mbetëm shumë të impresionuar nga njohuritë dhe përpjekjet e tyre, veshjet e tyre holandeze dhe veçanërisht nga prezantimi që  bënë në gjuhën tonë. Ishte kënaqësi që për disa orë ishim pjesë e kësaj ‘Holande të vogël’!”, kështu u shprehën përfaqësuesit e Ambasadës Holandeze në vizitën e bërë në kolegjin “Turgut Ozal”.

Ishin nxënësit e klasës së 2B, të cilët kishin zgjedhur Holandën për Javën e Anglishtes dhe që shpalosën talentin e tyre në një prezantim të mrekullueshëm, në të cilin morën pjesë edhe dy përfaqësues të Ambasadës Holandeze në Shqipëri. Duke filluar që nga veshjet tradicionale, kërcimet dhe muzika, nxënësit dhanë maksimumin e tyre përpara përfaqësuesve.

Kreativiteti i tyre shkëlqeu përmes projekteve, të cilat kishin mbuluar muret e klasës dhe me duart e vogla punëtore kishin krijuar një “Holandë të vogël”. Përfaqësuesit u shprehën se mbresat më të mëdha i patën nga një dialog i veçantë në gjuhën holandeze, i përgatitur nga vetë nxënësit, në një prezantim që ishte vërtet i arritur.

Lojëra dhe aktivitete kishte nga të dyja anët. Nxënësit testuan njohuritë e tyre me një pyetësor të përgatitur posaçërisht për ta nga ambasada. Më pas të gjithë shijuan  tortën me flamurin holandez, të gatuar nga vetë nxënësit. Mbi të shkruhej “Mirë se erdhët në Shqipëri”. Në fund të kësaj vizite fëmijët u vlerësuan me certifikata të merituara. Si simbol, një nxënëse u dhuroi përfaqësuesve nga një tulipan të bardhë, lulen tradicionale të Holandës.

I falenderojmë nxënësit e klasës së 2B për punën e tyre të palodhur dhe Ambasadën Holandeze për këtë vizitë në shkollën tonë!

Punoi: Rei Korkuti

Drejtoi: Imelda Prençe

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *