Aktiviteti i radhës i Klubit Shpresa ishte ndihma dhe sigurimi i paketave ushqimore për një periudhë njëmujore, për 13 familje të Fshatit SOS në Tiranë.

Ishin nxënësit anëtarë të Klubit Shpresa të klasave të gjashta, të cilët dhuruan 350 kg ushqime bazë, si: miell, sheqer, vaj, makarona, oriz, vaj ulliri, salcë, kripë, mish dhe 780 kokrra vezë për 65 fëmijë, të cilët jetojnë në 13 familje dhe përfshihen në Programin me Bazë Familjen, një nga programet me të cilat funksionon ky fshat.

Gjatë vizitës në ambientet e këtij fshati, nxënësit panë nga afër ambientet e tij dhe sesi zhvillohej jeta në këtë fshat.

Fshati SOS është një organizatë që vepron në ndihmë të fëmijëve që kanë humbur kujdesin prindëror ose që janë në rrezik për ta humbur atë. Kjo organizatë beson se çdo fëmijë është pjesëtar i një familjeje dhe rritet me dashuri, respekt e siguri dhe si qëllim kryesor ka krijimin e një familjeje dhe një të ardhmeje për fëmijët në nevojë. Për të arritur këtë qëllim funksionojnë 2 programe kryesore: Programi i Fuqizimit të Familjes, që synon të ndihmojë familjet me probleme social-ekonomike dhe Programi me Bazë Familjen, për të cilin janë krijuar tre degë të kësaj organizate për të mbështetur fëmijë të grupmoshave të ndryshme.

Nxënësit jo vetëm ndihmuan me dashuri dhe bamirësi, por duke vizituar Fshatin SOS përjetuan emocione të veçanta dhe mësuan edhe më shumë për kujdesin dhe mbështetjen e familjes, si nevojë primare në rritjen dhe edukimin e një fëmije.

Punoi: Hera Hadëri

Drejtoi: Imelda Prençe