“Librat janë miqtë më të qetë dhe më të përhershëm; ata janë këshilltarët më të gjindshëm dhe më të mençur dhe mësuesit më të durueshëm.”
“Festa e librit” titullohej projekti në lëndën e gjuhës shqipe, realizuar nga nxënësit e klasës së 4G.
Me dëshirën e madhe për librin e leximin dhe me vetëdijen se dashuria për librin kultivohet që në fëmijëri, këta fëmijë zhvilluan një orë projekti në Teatrin e shkollës.
Gjatë kësaj ore të lirë, nxënësit, si aktorë të vërtetë, prezantuan prej librave të lexuar, një nga personazhet e tyre më të dashur. Projekti u bë në disa faza dhe fillimisht secili prej nxënësve e paraqiti personazhin e përzgjedhur, të vizatuar dhe të përshkruar, në formën e një fletëpalosjeje.
Orën e fundit të projektit, nxënësit ishin veshur si personazhi i zgjedhur dhe u prezantuan në skenë përmes lojës me role dhe ku nxënësit ishin piktori, skenaristi, regjizori dhe aktorët. Ata u treguan të zellshëm dhe e morën vetë në dorë drejtimin e saj. Sollën zbukurime dhe librat e tyre të preferuar për të krijuar një atmosferë të gëzueshme.
Kjo ishte një orë ndryshe, me plot emocione të bukura dhe që do mbetet gjatë te ata.
Punoi: Enia Xhaferraj
Drejtoi: Imelda Prençe