Tetori, Muaji i Artit dhe Letërsisë, hap si çdo vit siparin e aktiviteteve artistiko-kulturore në kolegjin “Turgut Özal”, duke filluar kështu një maratonë aktivitetesh e konkursesh.
Konkurset e Fjalës Artistike, Krijimit, Këngës dhe Artit figurativ, janë nga veprimtaritë më të dashura për nxënësit, ku ata shprehin botën e tyre të brendshme dhe iu jepet mundësia të shpalosin aftësitë dhe talentin e tyre.
Gjatë kësaj periudhe, klasat, korridoret dhe ambientet e tjera shkollës janë një ekspoze fantazie shumëngjyrëshe e punëve plot pasion të nxënësve në projekte 3D, postera, portrete autorësh, vizatime, albume etj. Nuk do të mungojnë as projektet, përmes të cilave, nxënësit do të shpalosin aftësitë në Artin e bukur të fjalës dhe do të shprehin njohuritë e tyre letrare e gjuhësore.
Tematika të tilla si: “Themelin’ e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe.”
“Libri ndryshon mendjen dhe mendja ndryshon botën.”
“Lexo një libër më shumë.”
e të tjera tematika të ngjashme, do të shoqërojnë aktivitetet kryesore që do të zhvillohen përgjatë këtij muaji.
Takimet dhe bisedat me personalitete të artit dhe kulturës, do të jenë po ashtu pjesë e aktiviteteve që janë planifikuar të zhvillohen përgjatë këtij muaji dhe në vazhdim të vitit shkollor.
Është krijuar tashmë një traditë e bukur kjo në shkollën tonë, traditë të cilën brezat e ardhshëm do ta pasurojnë e do ta zhvillojnë më tej.
Përgatiti: Imelda Prençe