Muaji i Artit dhe Letërsisë e kthen shkollën tonë në një festival ngjyrash dhe veprimtarish nga më të larmishmet. Në këtë muaj, përveç konkurseve, një vend të rëndësishëm zënë edhe bisedat me shkrimtarë, aktorë, regjisorë dhe të njohur të tjerë në fushën e artit dhe letërsisë.
Një bisedë e veçantë ishte edhe ajo që u organizua me regjisorin Kujtim Gjonaj dhe shkrimtarin për fëmijë Pandeli Koçi (i njohur me emrin letrar Sazan Goliku).
Të ftuarit u pritën nga nxënësit e klasës 4F, të cilët ishin veshur me kostume popullore nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Me këto kostume ata treguan se arti dhe letërsia i kanë rrënjët në popull.
Pas pritjes në klasë, të ftuarit kaluan në sallën e vogël të shfaqjeve dhe bashkëbiseduan me nxënësit e klasave të 4D, 4E dhe 4F. Si shkrimtari, ashtu edhe regjisori i njohur ndanë me fëmijët dashurinë për letërsinë, pasionin për filmin, si dhe mbresat e kujtimet e tyre nga hapat e parë të krijimtarisë.
Fëmijët i dëgjuan me vëmendje të ftuarit dhe në fund u drejtuan atyre pyetje për jetën artistike, sukseset, momentet më të vështira dhe më të bukura të karrierës së tyre.
Punoi: Erjona Saqe