Muaji i Artit dhe Letërsisë, është dhe muaji kur merr hov dhe shpaloset talenti dhe energjia krijuese e artistëve të vegjël dhe nxënësve tanë të talentuar në krijim, interpretim, këngë dhe vizatim.
Nxitja dhe kultivimi i talentit dhe shpirtit artistik te nxënësit tanë, shprehja e ndjenjave përmes artit dhe forcës së tij, është një nga format e bukura të edukimit të mendjes dhe shpirtit në shkollën tonë. U zhvillua mes emocionesh të pafundme faza finale e këtyre konkurseve. Nxënësit interpretuan mjeshtërisht, si artistë të vërtetë, vargje dhe këngët nga më të bukurat, kushtuar atdheut dhe natyrës shqiptare, të shkruara nga autorët tanë.
Kategoria e parë (4-5-6), kategoria e dytë (7-8-9) dhe kategoria e tretë (10-11-12). Kjo Finale e Madhe, paraprihet nga konkurset reciproke të zhvilluara në secilën shkollë dhe një pune përgatitore dhe të përkushtuar, si prej nxënësve ashtu dhe prej mësuesve. Vlerësimi i nxënësve konkurrentë bëhet nga një juri profesioniste për secilën fushë.
Në konkursin e këngës në juri ishin emra të njohur në fushën e këngës: Lind Islami, Venera Lumani dhe Gjergj Kaçinari.
Kurse në konkursin e interpretimit në juri ishin aktorët e mirënjohur të kinematografisë dhe teatrit shqiptar: Rajmonda Bulku, Agron Hoxha dhe Sokol Angjeli.
Vlerësimi i krijimeve dhe vizatimeve u bë prej mësueseve me përvojë në këto fusha të shkollës sonë. Gjatë gjithë aktivitetit emocionet ishin të pranishme kudo, si te konkurrentët dhe te juria.
Momenti më emocionues dhe i shumëpritur i këtij aktiviteti është momenti i ndarjes së çmimeve dhe i dhënies së medaljeve nxënësve fitues, i cili do të zhvillohet online.
Urojmë suksese për të gjithë nxënësit pjesëmarrës në këtë konkurs!
Përgatiti: Imelda Prençe