Ditën e martë mësimi nisi në një mënyrë ndryshe për nxënësit e shkollës sonë. Me fillimin e orës së parë, në çdo klasë, nga tabelat interaktive u bë e mundur shfaqja e një videoje ndërgjegjësuese: “Si të reagojmë gjatë tërmetit”, një film i animuar edukativ për reagimin që duhet të kenë fëmijët në raste emergjente si tërmeti.

Më pas, u diskutua rreth videos dhe veprimeve që duhet të kryhen gjatë kohës që lëkundjet vazhdojnë.

Në fund u kalua në veprime konkrete me improvizim situatash pas lëkundjeve dhe dhënie të alarmit për të dalë nga klasat.

Nxënësit dolën në rresht, duke ruajtur qetësinë dhe duke zbritur shkallët e përcaktuara sipas klasës e paralelit.

Ata u kujdesën që të zbatonin rregullat deri në daljen nga ndërtesa dhe të ishin të vëmendshëm për ruajtjen e vetes e të shokut.

Improvizimet e situatave të jashtëzakonshme dhe radha e veprimeve që duhen kryer në raste të tilla, do të vazhdojnë edhe në javët në vazhdim.

Përgatiti: Erjona Saqe