Fillimisht, brenda klasave, u zhvillua në iPad, Konkursi i Historisë së Shqipërisë, ku nxënësit konkurruan me njëri-tjetrin në dhënien e përgjigjeve të sakta e të shpejta mbi historinë e flamurit, pavarësinë dhe çlirimin e vendit.
Më pas, aktiviteti vazhdoi në oborrin e shkollës, ku së pari, nxënësit, të ndarë sipas klasave, ekspozuan ushqimet tradicionale të krahinave të ndryshme të vendit.
Me shumë kuriozitet u prit “Parada e Veshjeve Popullore”, ky thesar i çmuar kombëtar, i cili ia shtoi bukurinë, hijeshinë dhe ngjyrat aktivitetit dhe u duartrokit nga të gjithë të pranishmit.
Më pas, secila klasë bëri përshëndetjen e saj me vargje e këngë kushtuar flamurit, gjuhës shqipe, pavarësisë dhe vendit tonë të bukur.
Aktiviteti vazhdoi me shpërndarjen e certifikatave për nxënësit fitues të Konkursit të Historisë. Krahas tyre, për secilën klasë u nda një Certifikatë Mirënjohjeje për kontributin e dhënë gjatë Muajit të Historisë.
Nën ritmin e “Xhamadani vija-vija” dhe “Kuq e zi” nxënësit kërcyen e kënduan njëzëri duke bërë kështu një mbyllje plot entuziazëm të aktivitetit.