Nxënës dhe fëmijë të aftë, që e duan suksesin dhe punojnë fort për ta arritur atë.

Po sa e lehtë është të arrihet suksesi? A ka ndonjë formulë të gatshme se si të jesh i suksesshëm? A është dështimi pjesë e tij? Na frenojnë dështimet apo na shtyjnë më tej drejt suksesit, duke u bërë në njëfarë mase dhe nxitës për të punuar dhe luftuar më fort?

“Dështimi dhe rruga drejt Suksesit”, kjo ishte tema, të cilën nxënësit e klasave të 8-ta e 9-ta e risollën përsëri në formë debati, pas fitores së 32 medaljeve në Cambridge University.

Këtë herë, debati dhe opinionet nuk mbetën brenda ambienteve të shkollës “Turgut Özal” apo mjediseve të tjera akademike, por u shfaqën në një format televiziv, për të ndarë me gjithë shqiptarët dhe me opinionin publik mendime, dije, eksperienca  dhe plot mesazhe.

Vlen të përmendet se në këtë program me “format ndryshe” u dhanë shumë këshilla e shembuj, duke iu referuar njerëzve më të suksesshëm, për mënyrën sesi t’i bëjmë ballë frikërave e sesi të kemi guxim e ambicie për të krijuar rrugën tonë të suksesit.

Fëmijët janë e ardhmja jonë, le t’i mësojmë e t’i mbështetim sa herë dështojnë, t’u themi se do t’ia dalin, mjafton që të kenë entuziazmin për të ecur para e të gjejnë drejtimin e tyre.

E Ardhmja iu përket atyre që pavarësisht dështimeve, ngrihen e vazhdojnë përsëri më të fortë se më parë!

Përgatiti: Imelda Prençe

 

 

 

 

https://www.youtube.com/watch?v=zXi_MGaS_-k