Çdo nxënës i klasës së parë, pas përfundimit të librit të parë shkollor, përjeton një tërësi emocionesh në skenë dhe merr një kujtim të veçantë nga Festa e Abetares. Kjo traditë e bukur që zhvillohet kudo në Shqipëri, nisi edhe këtë vit në shkollën tonë me mjaft entuziazëm. Ishte klasa 1A ajo që filloi e para këtë festival shkronjash e ngjyrash. Këngët e bukura për shkronjat dhe festën, vargjet e recituara me emocion, kërcimet ritmike dhe veshjet e bardha të fëmijëve e mbushën skenën dhe sallën me një atmosferë të gëzueshme dhe mjaft pranverore.
Emocionet ndiheshin në zërat e fëmijëve dhe në sytë e prindërve që i ndiqnin me vëmendje nga radhët e spektatorëve. Duartrokitjet, buzëqeshjet dhe falenderimet në fund të festës ishin treguesi më i mirë i suksesit të saj.
Janë edhe gjashtë klasa të para që priten të na surprizojnë me Festën e Abetares që secila prej tyre ka përgatitur. Këto festa i paraprijnë Festave të Klasave që zhvillohen nga çdo klasë e ciklit 9-vjeçar të shkollës sonë në përfundim të vitit shkollor.
Përgatiti: Erjona Saqe