Festa e Abetares, kjo traditë e bukur, u zhvillua mes emocioneve të shumta të vogëlushëve, por po aq dhe të prindërve të tyre. Përfundimi i Abetares, librit të parë, mësimi i shkronjave, për çdo fëmijë mbart emocion dhe kujtim të veçantë.

Këngët e bukura për shkronjat dhe festën, vargjet e recituara me zërat e ëmbël që dridheshin herë-herë, kërcimet ritmike dhe veshjet e bardha të fëmijëve e mbushën skenën dhe sallën me një atmosferë të gëzueshme dhe plot gjallëri këto ditë maji.

Këto festa ishin një festival i vërtetë shkronjash, tingujsh e ngjyrash, të cilat zbukuroheshin mes zërave të vogëlushëve.

Duartrokitjet, buzëqeshjet, falenderimet dhe fotot plot gëzim në fund të festës ia shtonin ngjyrat ditës, e cila u buzëqeshte fëmijëve plot dashuri.

U urojmë nxënësve të klasave të para shumë suksese në rrugën e gjatë, të vështirë, por të bukur të dijes! Ta duan dhe ta ruajnë gjithmonë gjuhën tonë të bukur shqipe!

Përgatiti: Imelda Prençe