Ëmbëlsi, kënaqësi e përkushtim në Panairin Ushqimor
Panairi Ushqimor vijoi suksesshëm aktivitetet e tij gjatë muajit tetor. Ditë pas dite nga të gjitha paralelet
e shkollës, duke filluar nga klasat e 9-ta deri te vogëlushët e kopshtit, shijuam ditë të mbushura me
aromë, shije, traditë gatimesh nga të gjitha trevat e vendit dhe muaji që lamë pas shënoi mbylljen e
Panairit Ushqimor dhe për këtë vit shkollor.
Salla e panaireve ishte e mbushur me aromë shijesh të mrekullueshme të gatimeve tradicionale të
zonave të ndryshme, por bukuria e vërtetë shihej në sytë dhe fytyrat gazmore të fëmijëve.
Ëmbëlsia dhe shija e Panairit Ushqimor ishte shumë e veçantë, sidomos gjatë ditëve të panairit me
nxënësit e shkollës fillore dhe vogëlushët e kopshtit, të cilët me përkushtim dhe shumë dashuri të
ndihmuar nga mësueset, reklamonin ushqimet e gatuara me aq dashuri nga mamat e gjyshet dhe bënin
për vete çdo blerës.
Diku si flutura të bukura e diku si bletë punëtore, të veshur si mastershefa të vërtetë kuzhine, këta
fëmijë gjallëruan ambientet e sallës së panaireve.
Ëmbëlsia e ushqimeve dhe ëmbëlsia e fëmijëve krijonin një atmosferë sa të gëzueshme, aq dhe festive
mes tingujve të muzikës dhe zërave gazmorë e të qeshurave fëminore.
Janë kaq të bukura aktivitete të tilla, ku mbizotëron kënaqësia, dashuria për njëri-tjetrin dhe shpirti i
bukur fëminor.
Shumë nxënës reklamuan mjaft këndshëm gatimet që sollën, duke tërhequr në këtë mënyrë vëmendjen
e shumë blerësve.
Me të ardhurat e mbledhura edhe këtë vit do të ndihmojmë sa më shumë familje dhe të sjellim shpresë
te sa më shumë fëmijë.
Ky panair u mbyll me sukses të plotë, pikërisht me panairet e më të vegjëlve dhe të mësuesve, të cilët
gjithashtu u bënë pjesë e këtij panairi dhe kësaj nisme.
Klubi Shpresa në bashkëpunim me Drejtorinë e shkollës, do të fillojnë së shpejti aktivitetet për të
shpërndarë ndihma, të cilat do të mundësohen nga fondet e grumbulluara nga ky panair.
Falenderojmë të gjithë ata, që me përkushtim të plotë bënë të mundur realizimin e këtij panairi dhe
përmbushjen e qëllimit të tij bamirës.
Falenderimi më i veçantë shkon për nxënësit, të cilët i dhanë ngjyra panairit me gatimet dhe
buzëqeshjet e tyre.
Një falenderim i veçantë shkon dhe për të gjithë prindërit për mbështetjen që na japin në realizimin e
këtij panairi kaq të bukur e me vlera dhe kontributin e tyre për këtë çështje të rëndësishme dhe
humane, për të edukuar te fëmijët ndjenjën e bukur të zemërgjerësisë.

Përgatiti: Imelda Prençe