Edukim vlerash ligjëruar nga një shqiptare e mrekullueshme.
Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe ka njerëz të mrekullueshëm. Atdheu është ai vend, të cilin njeriu nuk e gjen dot kund tjetër.”
Nxënësit e klasave të 9-ta, zhvilluan në vijim të aktiviteteve të Muajit të Artit dhe Letërsisë, në ambientet e bibliotekës së shkollës, një bashkëbisedim me gazetaren dhe shkrimtaren Rudina Xhunga. Tematika kryesore ishte mbi librin “Shkrimtarët e shekullit: 31 intervista në bibliotekën e botës”, por në këtë bashkëbisedim plot emocion, nuk munguan pyetjet e përgjigjet mbi gazetarinë, letërsinë, sfidat e ndryshme të jetës dhe letërsisë, rrugën drejt suksesit dhe rëndësinë e shkollës, si një pasaportë e sigurt për një të ardhme të suksesshme.
Përmes një rrëfimi të veçantë, gjatë prezantimit të vetes dhe karrierës së saj, zonja Xhunga i njohu nxënësit me librin e saj “Shkrimtarët e shekullit: 31 intervista në bibliotekën e botës”. U krijua një atmosferë e ngrohtë dhe miqësore, ndërkohë që nxënësit filluan të bënin pyetje nga më të ndryshmet. Disa nga pyetjet ishin për intervistat me disa prej shkrimtarëve më të mëdhenj të botës, si Amos Oz, Ismail Kadare dhe Orhan Pamuk.
Ajo me thjeshtësinë e një njeriu të madh, u tregoi nxënësve për ankthin, ethet e pritjes, përshypjen e parë që secili prej tyre i la, peripecitë që i ishin dashur të kalonte dhe çastet më të bukura që kishte kaluar në ato intervista. Gjatë bashkëbisedimit, zonja Xhunga gjithashtu u dha nxënësve këshilla të ndryshme, disa prej të cilave ishin: “Duhet të luftosh që të gjesh zërin tënd, të mos e lëshojnë kurrë letërsinë, të shkojnë pas ëndërrave të tyre dhe të luftojnë për t’i realizuar ato.”
Takime të tilla mbresëlënëse, do të zhvillohen në vijim të këtij viti shkollor me të tjera figura të artit, letërsisë, psikologjisë etj.
Falenderojmë zonjën Xhunga për kohën që na kushtoi dhe e mirëpresim sërish për të shijuar një bashkëbisedim po aq të bukur sa ky.
Punoi: Enia Xhaferraj
Drejtoi: Imelda Prençe