Nxënësit e klasës 4F të kolegjit “Turgut Ozal” vizitë në  Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë

Nxënësit e klasës 4F të kolegjit “Turgut Ozal” vizitë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë

“Një paradite e veçantë me nxënësit e klasës së 4F, të kolegjit “Turgut Ozal”, të cilët vizituan ambientet e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Na i mbushën korridoret me gëzimin dhe çiltërsinë e tyre, ndërsa së bashku folëm për librat e shkrimtarët e preferuar, aktivitetet kulturore dhe ato sportive. A e dini sa shumë pyetje mora? Plot 18… dhe iu përgjigja të gjithave një për një. Në fund, më premtuan se do të mësojnë fort, për të bërë krenarë prindërit dhe për të arritur majat në të ardhmen!”

Kështu është shprehur  Zv. Ministrja Lorena Haxhiu, për vizitën në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, të nxënësve të klasës së 4F, një vizitë, e cila la mbresa shumë të bukura dhe te nxënësit. Përveҫ se mësuan shumë nga pyetjet e bukura e të zgjuara që i drejtuan Znj. Haxhiu, nxënësit treguan jo vetëm njohuritë, por edhe talentet e tyre. Ema këndoi këngën e Vaçe Zelës “Moj e bukura Arbëri”, Ediola luajti në violin, Aroni recitoi poezinë “Elegji për Bajram Currin” të Fan Nolit. Në fund nxënësit i dhuruan disa nga librat e botuar nga nxënësit e shkollës sonë dhe një buqetë me lule.

Falenderojmë Zv. Ministren Lorena Haxhiu për bashkëbisedimin e këndshëm dhe për pritjen e ngrohtë, kujdesin dhe dashamirësinë e treguar me fëmijët. Të tilla takime janë gjithmonë me shumë vlerë!