Data 22 prill, Dita e Tokës, dita kur secili prej nesh ndërgjegjësohet se sa e rëndësishme është që ne të kujdesemi për Të, ta ruajmë e ta mbajmë pastër gjithmonë.

Pikërisht në këtë datë, klasa e 3F, pati mundësinë të merrte pjesë në një ekspozitë të organizuar nga Qendra Mjedisore EDEN.

Në ekspozitë, me punime të nxënësve nga shkolla të ndryshme, u paraqitën mjaft projekte të realizuara nga materiale të riciklueshme, të cilat përçonin mesazhin se ne duhet ta mbrojmë planetin tonë dhe se nuk duhet ta ndotim atë, por të përpiqemi ta mbajmë sa më pastër e të kujdesemi sa të mundemi.

Që të gjithë ne duhet të riciklojmë, të ripërdorim e të reduktojmë sadopak mbetjet e ndryshme. Fëmijët u njohën dhe u ndërgjegjësuan për rëndësinë e riciklimit dhe ripërdorimit përmes këtij aktiviteti të veçantë e të bukur.

Në ekspozitë ishte i pranishëm gjithashtu Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Z.Blendi Klosi, i cili vlerësoi projektet e bëra nga fëmijët.

Fëmijët jo vetëm u ndërgjegjësuan gjatë këtij aktiviteti, por edhe u zbavitën duke luajtur lojëra ekologjike dhe minidramatizime me qëllime sensibilizuese. Ky aktivitet ishte një mënyrë ndryshe për të vlerësuar planetin tonë, Tokën, në ditën e saj.

Punoi: Nikol Dalipi

Drejtoi: Imelda Prençe