Shkolla jopublike 9-vjeçare “Turgut  Özal” përfaqëson suksesshëm për të disatin vit radhazi Shqipërinë në Olimpiada Ndërkombëtare me nxënësit e saj.

Nxënësit finalistë të kolegjit “Turgut Özal”, morën pjesë në Olimpiadën GENIUS, organizuar në Oswego, New York, SHBA.

Olimpiada Genius, që zhvillohet në Oswego, New York, SHBA, mirëpret nxënës nga mbarë bota në  kategori të ndryshme, si shkencë, biznes, shkrim, robotikë, arte vizuale dhe muzikë. Nxënësit e shkollës sonë  konkurruan në dy kategori: në robotikë dhe në muzikë.  Ka disa vite që nxënësit shqiptarë janë pjesëmarrës në Genius Olimpiad, një konkurs ndërkombëtar që organizohet nga State University of New York – Oswego dhe, për herë të parë, këtë vit kemi jo pak, por katër talente që e përfaqësuan vendin tonë në mënyrën më të mirë.

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Turgut Özal” (Tiranë), Aurel Domi, Brendon Janku dhe Martin Lipe fituan medalje argjendi me projektin e tyre në konkursin e robotikës, ndërsa nxënësja Dea Merkaj e mori këtë medalje në konkursin e këngës.

Në këtë olimpiadë morën pjesë 1500 nxënës, kryesisht të shkollave të mesme, por performanca e shkëlqyer e nxënësve tanë (edhe pse më të vegjël se konkurrentët e tjerë), bëri që ata fillimisht të kalonin fazën përzgjedhëse dhe në fund të vlerësoheshin me medalje duke nderuar vendin dhe shkollën e tyre.

Në kategorinë robotikë, skuadra finaliste e nxënësve të klasës së 8-të konkurroi me një robot në formë krahu, të ndërtuar duke përdorur Lego.

Në kategorinë muzikë konkurroi nxënësja Dea Merkaj, klasa e shtatë. Duke qenë se ky konkurs, përveç anës vokale dhe performancës, vlerëson shumë dhe mesazhin që konkurrentët duan të përcjellin, në këngët e përzgjedhura i është kushtuar vëmendje si përshtatjes me zërin e konkurrentit, ashtu dhe përmbajtjes e mesazhit që përcjell kënga.

Këtë vit projektet e muzikës kanë konsistuar në trajtimin e dy temave shumë të rëndësishme sociale. Kënga “Read all about it”, e kënduar nga Dea Merkaj, përçoi mesazhin e lirisë së fjalës dhe mendimit, pa u censuruar nga frika e paragjykimeve.

U urojmë nxënësve tanë vetëm suksese gjithmonë!

Përgatiti: Imelda Prençe