“Zysh Dafina, do e nisësh përrallën apo jo?” është pyetja që fëmijët e paduruar të kopshtit parashkollor bëjnë çdo ditë, kur shohin zyshën e tyre të përrallës. Dhe më pas zysh Dafina futet me një kuti me lodra dhe me një histori të re.
Pasi fëmijët mblidhen përreth, edukatorja e tyre rreshton mbi tavolinë personazhet e përrallës dhe ndërton mjedisin me ndërtesa e pemë, duke e vizualizuar përrallën për fëmijët e vegjël. Pasi mbaron përralla, tema e së cilës mund të jetë nga më të larmishmet, nis edhe diskutimi. Çdo fëmijë thotë mendimin e tij, pa u ndikuar aspak nga shokët, dhe shpalos personalitetin dhe ndjenjat e tij të veçanta. Diskutimi nis me moralin dhe vazhdon me personazhin kryesor, personazhin e tyre të preferuar dhe mesazhin kryesor të përrallës.
Ora e përrallës tani është kthyer në një nga argëtimet e preferuara të këtyre fëmijëve, të cilët jo vetëm dëgjojnë histori të ndryshme dhe hapin mendjen, por nga mesazhet e përrallave mësojnë edhe virtytin e të qenit human.
Punoi: Meri Berisha
Drejtoi: Elda Rrustemi