Sinjalistika rrugore dhe rëndësia e saj

Sinjalistika rrugore dhe rëndësia e saj

Njohja  dhe respektimi i sinjalistikave rrugore është një nevojë e domosdoshme për çdo njeri, sidomos për fëmijët, të cilët duhet të përgatiten për një të ardhme sa më të sigurt. Kjo i dha shkas edhe organizimit të një ore praktikuese, përmes së cilës fëmijët e klasave të treta mundën të njiheshin më mirë me sinjalistikën rrugore dhe rëndësinë e saj. 
Si fillim ata u njohën me këtë temë në lëndën e gjuhës shqipe, ku u zhvillua një orë e veçantë vetëm për njohjen me shenjat rrugore dhe identifikimin e zhurmave të ndryshme që dëgjohen në qytet. Më pas tema u zgjerua më shumë në orën e edukatës shoqërore, ku nxënësit mësuan më shumë për policinë rrugore dhe rolin e saj të rëndësishëm në ruajtjen e rendit në rrugë. Madje u dhanë dhe shumë këshilla, si për fëmijët, ashtu dhe për prindërit. Theksi u vendos tek frika që ndiejnë fëmijët kur prindërit shpeshherë përdorin telefonin gjatë kohës që ngasin makinën.
U imituan disa situata të përditshme të qarkulllimit rrugor, ku fëmijët morën një herë rolin e këmbësorit dhe një herë atë të policit, për të kuptuar të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre si këmbësorë.
Nxënësit bënë gjithashtu një punë të mrekullueshme me projektet e tyre plot fantazi e kreativitet, ku vihej re përkushtimi maksimal i tyre në respektimin dhe zbatimin e sinjalistikës rrugore.
Punoi: Ergita Zenelhasanaj
Drejtoi: Elda Rrustemi