“Ngrini ëndrrën dhe pastaj punoni për ta realizuar atë. Unë e dija se do fitoja, sepse e kisha ngritur ëndrrën. Tejkalojeni adoleshencën me pasqyrë dhe bëjeni pasqyrë mendjeje.”, ishin këto disa nga fjalët që Znj. Majlinda Keta, pedagoge e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, iu drejtoi nxënësve të kolegjit “Turgut Ozal”, në një bashkëbisedim për librin, ëndrrat dhe arsimin.

Ky takim u organizua në ambientet e bibliotekës, mes një bisede të ngrohtë, për të informuar, ndërgjegjësuar dhe duke iu përgjigjur nxënësve rreth pyetjeve të ndryshme që ata kishin, jo vetëm ndaj arsimit, por edhe filozofisë, rolit të gruas në shoqëri dhe suksesit në karrierë.

Atmosfera e këndshme, e cila erdhi nga natyra përparimtare dhe interaktive e bisedës, mbushi të gjithë sallën. Secili nga nxënësit, anëtarë të Klubit të Medias, të Klubit “Awareness” dhe lexues të apasionuar nga klasat e 8-ta e të 9-ta, u motivua nga ky takim kaq frymëzues dhe plot vlera.

Pas një prezantimi të punës, karrierës dhe synimeve të saj, Znj. Keta, me shumë thjeshtësi dhe plot pasion, i hapi rrugën kureshtjes së nxënësve. Pyetjet ishin të shumta dhe përgjigjet e mirëmenduara  morën vëmendjen e plotë të nxënësve.

“Tirana po e jeton demokracinë nga rinia.”, u shpreh ajo duke theksuar rëndësinë e arsimimit të të rinjve dhe rolin e madh që ka rinia në të ardhmen e vendit tonë.

Ndërsa pyetjes se  ç’është filozofia ajo iu përgjigj duke thënë se “Filozofia është të mësosh se si ndërtohet mendimi.” 

Kështu, mes pyetjesh e  përgjigjesh, koha kaloi pa kuptuar dhe bashkëbisedimit i erdhi fundi. Znj. Keta i përshëndeti nxënësit dhe u nda prej tyre me dëshirën e madhe për t’u rikthyer sërish.

Falenderojmë pedagogen Majlinda Keta, e cila na solli kaq shumë njohuri nga eksperienca e saj në fushën e arsimit dhe e mirëpresim sërish midis nesh në të tjera biseda po kaq interesante.

Punoi: Rei Korkuti

Drejtoi: Imelda Prençe

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *