Ceremonia e ndarjes së çmimeve në Finalen e Madhe midis Kolegjeve

Ceremonia e ndarjes së çmimeve në Finalen e Madhe midis Kolegjeve

“Është gjithmonë kënaqësi pjesëmarrja në konkurset e zhvilluara nga Kolegji “Turgut Ozal”, si për seriozitetin dhe korrektesën, po ashtu dhe për talentet që marrin pjesë në këto konkurse. Kemi dëgjuar këngë dhe zëra të mrekullueshëm, të cilët na kanë emocionuar, madje dhe kemi lotuar në disa raste.”

Kështu u shpreh këngëtarja Irma Libohova, Mjeshtre e Madhe e Punës, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve në Finalen e Konkurseve të Artit dhe Letërsisë, zhvilluar në datën 15 dhjetor.

Kjo iniciativë e shkëlqyer që është bërë traditë tashmë në shkollat tona, i ka fillesat pikërisht në investimet që ne bëjmë si shkollë për talentet dhe brezin e ri. Dhe gjithashtu, fakti që nxënësit e talentuar duhen mbështetur, duke u motivuar në mënyrat e duhura me të gjitha mundësitë dhe potencialet ndihmëse që mund t’u ofrojë shkolla e më gjerë.

Fushat e konkurrimit që përfshihen në këto konkurse janë: Arti Pamor, Kënga, Interpretimi dhe Krijimi.

Konkurset zhvillohen sipas kategorive. Kategoria e parë: klasat 4-5-6; kategoria e dytë: klasat 7-8-9 dhe kategoria e tretë: klasat 10-11-12.

Risi e këtij viti ishte pjesëmarrja në konkurse edhe e nxënësve nga Kosova, të cilët u përfaqësuan në kategorinë e tretë.

Juria e këtij viti ishte sërish me emra nga më të njohurit në fushën e këngës dhe artit shqiptar.

Në Konkursin e Interpretimit juria përbëhej nga aktorët: Ndriçim Xhepa – Nderi i Kombit, Rajmonda Bulku – Artiste e Merituar dhe Mimoza Mevlani – Mjeshtre e Madhe Pune.

Në Konkursin e Këngës juria u përfaqësua nga këngëtaret: Irma Libohova – Mjeshtre e Madhe Pune, Blerina Braka dhe  Orgesa Zaimi.

Ndërsa juria e Konkursit të Krijimit dhe e Konkursit të Artit Pamor përbëhej nga mësuesit e shkollave tona.

Falenderojmë nxënësit tanë dhe mësuesit përkatës për përkushtimin dhe punën e palodhur për të arritur rezultate sa më të larta dhe një paraqitje gjithmonë dinjitoze në këto konkurse!

Përgatiti: Imelda Prençe