26 tetori ishte për shkollën tonë Dita e Hapur në luftën kundër ngacmimeve, lëndimeve apo siç njihet tashmë me termin e ndërkombëtarizuar, bullizmit, fenomen ky mjaft i përhapur te fëmijët, të rinjtë dhe më gjerë në shoqërinë tonë. Kjo është edhe arsyeja kryesore pse BE dhe Këshilli i Europës ndërmorën hartimin dhe zbatimin e një trajnimi të mësimdhënësve në 21 shkolla pilot në Shqipëri, ku një ndër shkollat e përzgjedhura është edhe shkolla jonë. Ky trajnim ishte vetëm hapi i parë, i cili i parapriu një sërë veprimtarive dhe aktiviteteve në kuadër të kësaj lufte, brenda shkollës e jashtë saj. Nxënësit e të gjitha klasave panë filma të animuar me mesazhin kryesor mënjanimin e ngacmimeve dhe rritjen e dashurisë e mirëkuptimit mes njëri-tjetrit. Ata, gjithashtu patën rastin të shprehnin ndjenjat e tyre për këtë fenomen në piktura, ese, poezi apo edhe punime 3D. Dita e Hapur ishte finalizimi i kësaj pune, ndaj u ftuan në ambientet e shkollës sonë, prindër, mësues, punonjës të administratës shtetërore dhe anëtarë të tjerë të komunitetit. Qëllimi kryesor ishte jo vetëm që të rriturit të njiheshin me punimet e nxënësve, por edhe të ndërgjegjësoheshin për pasojat që shkakton bullizmi te fëmijët e të rinjtë. Ftesës sonë për këto veprimtari iu përgjigjën një pjesë e mirë e të ftuarve dhe, ata që nuk patën dot mundësinë të vinin, dërguan video të regjistruara, ku jepnin mesazhet e tyre ndërgjegjësuese në luftën kundër këtij fenomeni. Përmbyllja e aktivitetit ishte një program artistik, në të cilin nxënësit sollën në skenë lojë në role, këngë të kënduara drejtpërsëdrejti, video me thënie të ndryshme dhe lexim të eseve më të mira, të gjitha këto me temën e përbashkët kundër bullizmit. Dita e Hapur e realizoi më së mirë qëllimin e saj, por nuk shënoi fundin e luftës ndaj bullizmit. Projekti do të vazhdojë me trajnime, seminare dhe aktivitete të tjera përgjatë gjithë vitit shkollor.

 

Përgatiti: Erjona Saqe

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *