Dita Ndërkombëtare e Tokës

Dita Ndërkombëtare e Tokës

Dita Ndërkombëtare e Tokës, 22 prilli, ka vite që ka marrë rëndësinë e saj edhe në vendin tonë. Kjo është një ditë e veçantë që synon angazhimin e të gjithë njerëzve anë e mbanë botës për t’i shprehur mirënjohjen shtëpisë sonë të përbashkët, Tokës. Qytetarë të moshave të ndryshme gjejnë pak kohë për të mbjellë një pemë, rregulluar një park, pastruar një rrugë apo për të marrë pjesë në ngjarje që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin e njerëzve për kujdesin ndaj mjedisit. Ky ndërgjegjësim duhet të fillojë që në vitet e hershme të jetës, ndaj brezi i ri duhet të jetë objektivi kryesor në evenimente të tilla. Dhe ishin pikërisht nxënësit e klasave të gjashta të shkollës sonë, ata që dhanë një mesazh mjaft domethënës në këtë ditë. Këta nxënës, nën kujdesin e mësuesve kujdestarë dhe nëndrejtorit të paralelit, mbollën fidanë në një lulishte midis pallateve në lagjen nr. 6 të kryeqytetit. Ky veprim i tyre duhet mbështetur dhe duhet vazhduar si një traditë e bukur, jo vetëm një herë në vit, por në çdo stinë të vitit, si një mirësi për njerëzimin dhe si një shpërblim i vogël për Tokën ndaj të mirave të pafundme që marrim prej saj.