Fëmijët e klasave të para në Kolegjin “Turgut Ӧzal”

Fëmijët e klasave të para në Kolegjin “Turgut Ӧzal”

Thuhet se çdo fillim është  i vështirë, por jo nëse atë e karakterizon dëshira për t’ia dalë mbanë dhe përpjekjet e përditshme drejt suksesit. Shembulli më i mirë i tij është nisja e ciklit të gjatë shkollor  nga nxënësit e klasës së parë. Për ta kjo është dita më e veçantë e viteve të para të jetës dhe të edukimit njëkohësisht, një ditë e pritur me shumë përgatitje dhe dashuri.

Në Kolegjin “Turgut Ozal “, dita e parë e shkollës për fëmijët e klasave të para ka sjellë urime dhe emocione të shumta për 168 fëmijët që janë ulur në bankat e shkollës sonë. Klasat dhe mjediset e ndryshme të shkollës janë zbukuruar për t’i pritur vogëlushët mes ngjyrave, buzëqeshjeve dhe urimeve. Emocione viheshin re edhe tek prindërit dhe tek të afërmit e fëmijëve, të cilët nëpërmjet fotografive të shumta, i fiksonin me kënaqësi këto çaste të paharrueshme për fëmijët e tyre. Çaste këto që do të shërbejnë si pjesë kujtimesh të pazëvendësueshme përgjatë jetës së tyre shkollore. Sot dhe gjatë dy ditëve në vijim, vogëlushët nën shoqërinë e njëri-tjetrit dhe të stafit pedagogjik do të kenë mundësi të zbaviten mbi bazën e një programi të realizuar posaçërisht për ta. U urojmë suksese dhe një vit sa më të mbarë shkollor mësuesve dhe nxënësve të klasave të para!

Përgatiti: Elda Rrustemi