Për t’i konkretizuar më mirë njohuritë që fëmijët kanë marrë për stinën e vjeshtës dhe me rastin e festës së balonave, fëmijët e grupeve të treta, organizuan një ekskursion te liqeni artificial, për t’u argëtuar dhe për t’i parë më nga afër ngjyrat e vjeshtës.

Fëmijët të gëzuar dhe plot kuriozitet vështronin pemët gjithandej me gjethet me ngjyra të ndryshme, të verdha, të kuqe, jeshile, të cilat shkriheshin dhe harmonizoheshin mjaft natyrshëm me larmishmërinë e balonave që valëviteshin rrotull tyre. U mahnitën nga llojshmëria  e ngjyrave të gjetheve, por zbuluan sekretin se përse vjeshta quhet ‘e artë’.

Fëmijët vraponin të lumtur e të gëzuar, duke mbledhur gjithandej gjethe, për të bërë pse jo  dhe një koleksion të bukur me gjethet e vjeshtës së artë. Ata nuk harruan të grumbullonin gjethe  me ngjyra të ndryshme për të punuar më pas  në klasë aplikacione të ndryshme si: “Gjethet në vjeshtë”.

Gjatë kësaj dite të bukur, gëzimi dhe hareja shiheshin të  reflektuara në buzëqeshjet dhe lodrimet me njëri-tjetrin.

Këto kujtime mbeten pjesë e çasteve të bukura e të paharrueshme të fëmijërisë, duke ngjallur tek fëmijët dëshirën për t’u rikthyer sërish në natyrë të gjithë së bashku.

Sa bukur është të jesh fëmijë!

Përgatiti: Imelda Prençe

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *