Nxënësit e klasës së 2F vizituan ambientet e Televizionit Kombëtar Klan. Ndiheshin shumë të emocionuar ndërsa kalonin nga njëra studio televizive te tjetra, aty ku janë mësuar të shohin personazhe shumë të njohura të spektaklit dhe gazetarisë. Panë ambientet ku realizohen programet “E Diela Shqiptare”, “Opinion”, “Rudina”, “Stop”, “Xing me Ermalin”, por më e veçanta sipas tyre ishte studioja e show-ut për fëmijë “Në Kurthin e Piter Pan”. Fëmijët u ulën në vendet ku zakonisht rrinë pjesëmarrësit e vegjël të këtij emisioni dhe improvizuan  pyetje drejtuar “të ftuarit të radhës”, aktorit të humorit, Gentian Zenelaj. Pyetjet ishin të llojit profesional dhe privat, si psh: Si funksionon puna në televizion?, Pse ke zgjedhur të bëhesh aktor humori?, Cilat janë pasionet e tua të tjera përveç aktrimit?, Mes karrierës dhe familjes cilën do të zgjidhje?, Nëse do të ktheheshe prapa në kohë, çfarë do të ndryshoje te vetja?, A ndihesh i lumtur kur ndihmon të varfrit? etj.  Ndërsa fëmijët, të pyetur nga aktori se si u ndien gjatë vizitës në Klan, duke buzëqeshur u përgjigjën se e pëlqenin shumë estetikisht atmosferën televizive  dhe përjetimet e bukura që ajo u fali. Para se të largoheshin, nxënësve iu ofrua një drekë e shijshme nga institucioni mediatik.

Përgatiti: Elda Rrustemi

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *