KLUBI I EBRUSË

KLUBI I EBRUSË

Arti është një burim, një urë komunikuese midis njerëzve të kulturave të ndryshme. Dukuria estetike e karakterizon atë, sepse nuk ka vepër artistike pa vlerë estetike. Në shkollën tonë është formuar Klubi i Ebrusë, ku marrin pjesë disa nxënëse, të cilat nën  kujdesin e mësuese Albionës, mësojnë rreth artit të ebrusë, se si përgatitet një ebru, koha dhe mjetet e nevojshme për të etj. Arti i Ebrusë është një ndër artet që bëhet në letër dhe zanafilla e tij i përket Periudhës Osmane. I cilësuar si arti i përshtatjes së ngjyrave, ebru ka në gjenezën e vet përdorimin e ujit. Ky art e ka marrë emrin nga fjala perse “ebri” që do të thotë re dhe punohet, bëhen figura e forma të çfarëdollojshme, duke lëshuar me kujdes pikat e bojës mbi ujin e përgatitur më parë. Pas dhënies së formës, fleta e bardhë vendoset mbi sipërfaqen e ujit ku kemi bërë një figurë. Kësisoj, figura e formuar pikturohet në letër si të ishte një fotokopje me ngjyra. Mirëpo një ebru mund të bëhet vetëm një herë, prandaj duhet shumë kujdes në aplikimin e saj. Duke i uruar suksese nxënëseve tona, shpresojmë që të bëjnë punime sa më të bukura dhe të marrin kënaqësi nga punët e tyre artistike.

 

Irma Derjaj

Mësuese