“Një ndihmë kaq e madhe dhe kaq e plotë”, ka qenë përshkrimi i drejtoreshës së shkollës fillore “Androkli Kostallari” për materialet shkollore që u dhuruan nga Klubi Shpresa. Ajo theksoi se kjo ndihmë nuk ishte ofruar më parë për këtë shkollë në periferi të qytetit të Tiranës, me një numër të konsiderueshëm të nxënësve nga komuniteti rom dhe fëmijë të familjeve me përkrahje sociale.

Ndihma, që u mundësua nga fondet e mbledhura në Panairin Ushqimor të shkollës “Turgut Özal”, konsistoi në mjete mësimore për kompletimin e Dhomës së Artit si dhe bibliotekës së shkollës “Androkli Kostallari”.    

Anëtarët e Klubit Shpresa, nxënësit e “Turgut Özal” të klasave të teta dorëzuan te shkolla “Androkli Kostallari” kartona, penela, tempera, telajo të madhësive të ndryshme, lapsa druri, lapustila dhe bojëra vaji. Ndërsa për Klubin e Sportit dhuruan topa futbolli, basketbolli, volejbolli dhe rrjeta volejbolli. Një ndihmë e mirë ishte edhe sasia prej rreth 400 librash për bibliotekën e shkollës dhe disa komplete librash për mësuesit e gjuhës angleze.

Çdo ndihmë u çmua shumë dhe shprehja në fytyrat e gëzuara të nxënësve dhe mësuesve na bënë të ndiejmë se vullnetarizmi dhe bamirësia duhen kryer më shpesh dhe më shumë. Sigurisht nuk u plotësuan të gjitha nevojat që kishin, por së paku disa prej tyre. Anëtarët e Klubit Shpresa ishin entuziastë që ndihmuan vërtet atje ku kishte nevojë.

Punoi: Enia Xhaferraj

Drejtoi: Imelda Prençe

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *