Mes emocioneve dhe realizimit plot ndjenjë në “Shitësja e vogël e shkrepseve”

Mes emocioneve dhe realizimit plot ndjenjë në “Shitësja e vogël e shkrepseve”

“Dëshira e saj më e madhe ishte nëna e saj, prania e saj në këtë ditë feste.

Dhurata më e shtrenjtë për nënën është vogëlushja e saj dhe gëzimi më i madh për një fëmijë është prania e nënës në çdo moment të jetës së tij.”

Muaji Mars nisi me performancën e mrekullueshme të nxënësve të klasave fillore në shfaqjen “Shitësja e vogël e shkrepseve”.

Kjo shfaqje, e përshtatur nga përralla e njohur me të njëjtin titull e  H. K. Andersen, ndërthurur me personazhet e preferuara të përrallave dhe të filmave për fëmijë, si: Borëbardha, Hirushja, Arieli, Pipi Çorapegjata etj., solli emocione te çdo spektator.

Sapo vogëlushja ndizte një shkrepëse, në flakët e saj shfaqeshin dhe realizoheshin dëshirat e saj më të mëdha, siç ishin personazhet e filmave vizatimorë, një klasë e mbushur me fëmijë e mësues që lexonin, këndonin, luanin e tregonin përralla, guzhinierë plot me ëmbëlsira nëpër duar, të gatuara enkas për të. Por dëshira e saj më e madhe ishte nëna e saj, prania e saj në këtë ditë feste. Dhurata më e shtrenjtë për nënën është vogëlushja e saj dhe gëzimi më i madh për një fëmijë është prania e nënës.

Nxënësit, edhe pse të vegjël, dhanë maksimumin në skenë, sajë pasionit dhe punës së palodhur të mësueseve dhe organizatorëve. Libreti u përshtat dhe u vu në skenë nga mësuesja e kërcimit, skenografia u realizua nga mësuesja e artit, për korin u kujdes mësuesja e muzikës dhe me pjesëmarrjen e veçantë si narratore të aktores Aishe Stari, Artiste e Merituar. Ishte kjo, dhe mbështetja e drejtorisë së shkollës, e cila i motivoi dhe i frymëzoi nxënësit që të shkëlqenin në skenë dhe të realizonin këtë shfaqje kaq të arrirë artistikisht.

Interpretimi i artistëve të vegjël, sëbashku me muzikën, vallëzimin, dritat dhe efektet mbresëlënëse skenike i dhanë shumë jetë dhe gjallëri shfaqjes.

Punoi: Rei  Korkuti

Drejtoi: Imelda Prençe