Stina e dimrit, ashtu si çdo vit në shkollën tonë, solli me vete edhe mjaft udhëtime, të bëra në shtete si Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. Këtë herë ishin klasat e katërta që zhvilluan një ekskursion disaditor, në vendet e mrekullueshme turistike të Malit të Zi.
Ndalesa e parë u bë buzë lumit të Bunës në Shkodër dhe vetëm pas disa orësh, nxënësit dhe mesueset e tyre kishin arritur tashmë në Podgoricë. Si të gjithë turistët, edhe ata ndaluan për të parë nga afër ujëvarën e Niagarës. Rrethuar nga shkëmbinjtë me forma të veçanta, ajo që binte në sy ishte patjetër kthjelltësia e ujit dhe intensiteti me të cilin derdhej poshtë.
Me të mbërritur në Podgoricë, u rehatuan në hotel “ Hilton” dhe u çlodhën e u argëtuan tek pishinat e tij.
Paraditja e ditës tjetër kaloi mes lojërave në dëborë me ski dhe slita, ndërsa pasditja mes shëtitjeve në natyrë dhe një vizite në qendrën tregtare ”Delta”.
Ditën tjetër nxënësit e vazhduan shëtitjen e tyre në Budva, ku vizituan portin e jahteve dhe Qytetin e Vjetër. Dhe pas gjithë kënaqësisë që morën nga ky udhëtim, u kthyen në Tiranë të lodhur nga rruga, por edhe shumë të gëzuar, sepse kishin ndarë me njëri-tjetrin një pjesë nga jeta e tyre jashtë shkollës, kishin kaluar momente të paharrueshme.
Përgatiti: Elda Rrustemi