Festa e 8 Marsit erdhi në kolegjin “Turgut Özal” përmes koncerteve festive të organizuara për këtë ditë të veçantë. Koncertet filluan nga grupet e parashkollorit dhe vijuan te nxënësit e klasave më të larta. Mes rrezeve të diellit, luleve dhe atmosferës së gëzueshme të këngëve, recitimeve, kërcimeve dhe performimeve të tjera këta nxënës përcollën aq bukur e me ngjyrat e jetës mesazhin universal që kjo festë përçon: “Dashurinë e pafund për Nënat, që na rritin me dije, dashuri e jetë!”
Spektakli që ata dhuruan solli emocione të veçanta dhe lotë gëzimi në sytë e nënave që i ndiqnin me aq krenari dhe dashuri. Ky ishte edhe shpërblimi më i mirë për t’i falenderuar për punën e palodhur, kujdesin e përkushtimin që tregojnë çdo ditë ndaj fëmijëve të tyre.
Gëzuar festën nënë dhe grua shqiptare, kudo që të jesh!
Përgatiti: Elda Rrustemi