Të ushqehemi shëndetshëm – nga dietologia Anila Kalleshi

Të ushqehemi shëndetshëm – nga dietologia Anila Kalleshi

Të ushqyerit është kënaqësi, por njëkohësisht ekziston rreziku që të tejkalojmë kufijtë apo të kequshqehemi duke rrezikuar në këtë mënyrë shëndetin tonë. Pikërisht për të folur për kequshqyerjen dhe pasojat që vijnë prej saj, dietologia e njohur Anila Kalleshi, zhvilloi disa takime me të gjithë nxënësit e klasave 6, 7, 8 dhe 9 të shkollës sonë. Dietologia foli kryesisht me këtë grupmoshë, pasi kjo shënon fillimet e adoleshencës dhe shpeshherë, duke u nisur edhe nga modelet që ofrojnë mediat, vajzat e kësaj moshe mbajnë dieta strikte të cilat jo në pak raste çojnë në anoreksi apo bulimi. Më të rralla këto raste janë te djemtë. Gjithashtu, ajo tërhoqi vëmendjen te mbipesha dhe të ushqyerit me vakte të shpejtë (fast-food), të cilët për momentin shijojnë, por pasojat e tyre ndihen edhe pas shumë vitesh. Ajo i njohu nxënësit me piramidën ushqimore dhe i këshilloi ata për një të ushqyer sa më të shëndetshëm ku duhen përfshirë gjithmonë frutat e perimet e stinës (krahas produkteve të tjera).

Nxënësit dëgjuan me vëmendje dietologen, i drejtuan asaj pyetje dhe në fund bënë matjen e indeksit të masës trupore –BMI.