Vizitë në Garden Line

Vizitë në Garden Line

Pranvera ka ditë që ka trokitur dhe, këtë herë, ajo i hapi dyert për vogëlushët e klasës 1A, të cilët së bashku me mësuesen e tyre, Emiraldën, shkuan në kopshtin e luleve “Garden Line”. Koha me diell i ndihmoi fëmijët të rrinin gjatë në kopsht dhe ta shijonin natyrën me gjithë ngjyrat që ofron ajo në këtë stinë. Në këtë kopsht gjigant fëmijët panë lloje të ndryshme lulesh dhe u mahnitën pas ngjyrave dhe aromave të tyre. Duke kaluar nga njëri rresht i luleve te tjetri, ata ndalonin dhe vështronin kaktusët me lloj-lloj ngjyrash e xixash apo jargavanët, të cilët me ngjyrën dhe aromën e tyre kishin ftuar edhe një numër të madh fluturash. Herë pas here, fëmijët ndalonin dhe pyesnin për emrat e luleve, për murin e lulëzuar apo për shijen e frutave të çuditshme, ku një ndër to ishte fruti me formë dardhe dhe me lëkurë limoni. Në fytyrat e tyre lexohej gëzimi, padurimi dhe kërshëria për të mësuar më shumë për lulet dhe bimët që kishin rreth e qark.

Në fund, secilit nxënës iu dhurua një lule, së bashku me disa udhëzime se si duhet të kujdesen për të. Fëmijët u larguan nga Garden Line shumë të gëzuar dhe me dëshirën për t’u rikthyer aty përsëri së shpejti.